DIALEKTI ARBËRISHT: HISTORIA DHE PREJARDHJA I KONTAKTIT GJUHËSOR TË TË DY GJUHËVE (SHQIP – GREQISHT)
Si e
diplomuar, tashmë, për Gjuhësi të Gjuhëve Mesdhetare, vendosa të “shfrytëzoj”
disi punimin që kisha krijuar në universitetin tim me temën e dialektit arbërisht,
në lendën “Kontakti Gjuhësor” dhe të shkruaj një artikull mbi të.
Si fillim,
vlen të përmendet se mendimet mbizotëruese në lidhje me këtë dialekt të veçantë
janë të kundërta me njëra-tjetrën, pasi shumë konsiderojnë se Arbëreshët janë
grek të cilët flasin shqip, ndërsa disa të tjerë thonë se janë shqiptarë që njohin
edhe greqisht. Për shembull, Sotiris Tsitsipis thotë se dialekti arbërisht
karakterizohet si një variant I dialektit toskë, dialekti jugor, domëthënë, i
gjuhës shqipe që përdoret nga Arbëreshët në Greqi, ndërsa sipas Nikos Liosi-t,
në shekullin 14 dialekti arbërisht u veçua nga gjuha shqipe për shkak të
kontaktit të vazhdueshëm prej shekujsh gjuhësor me greqishten. Megjithatë, si përfundim,
gjuha e arvanitasve, e cila u përdor si mjet komunikimi deri në shekullin e
19-të, është një formë arkaike e dialektit toskë e pasuruar me fjalë të
greqishtes së sotme. Është e rëndësishme të thuhet se ky dialekt u ndikua nga
greqishtja më shumë në fjalor dhe fonologji dhe më pak në morfologji dhe në sintaksë.
Arvanitasit
(siç quhen në gjuhën greke) janë pasardhës të emigrantëve, tashmë banorë të
Greqisë, vendlindja e të cilëve ishte Shqipëria e sotme jugore. Informacionet
fillestare për paraqitjen e tyre në Greqinë jugore i marrim në shekullin e
14-të, në periudhën e sundimit venedikas (sundimi i Venedikut në Greqi, i cili
filloi në vitin 1204). Ata u shfaqën në shtetin Grek në valë të njëpasnjëshme,
duke filluar nga veriu në jug.
Në mesin e shekullit të 12-të, historiania Anna Komneni
prezantoi një lidhje të emrit të njohur 'arvanitas' me toponimin Arvanos që vjen nga fjala arkaike Arvon ( [‘Arvon] ose [Ar’von] )
dhe patronimi Arvonitis,
pas asimilimit të [ω] me [α], në
gjuhën greke.
Fonologjia
e zakonshme e gjuhës shqipe paraqet 7 zanore themelore [a, e, i, o, u, y, ë].
Prej tyre, 6 mbetën në dialektin arbërisht pasi [y] u kthye në [i]. Një
ndryshim kryesor me shqipen e sotme është se arbërishtja ka tre
bashkëtingëllore më shumë (ç, χ, γ), diçka që ndodhi për shkak të ndikimit të
saj afatgjatë me gjuhën greke.
Për sa i
përket shkrimit të saj, kryesisht dialekti arvanitas ishte një gjuhë që flitej
dhe jo një gjuhë e shkruar. E vetmja traditë letrare e shkruar që u krijua
ishte poezia popullore arvanitofone, e cila në ditët e sotme ka karakter
kryesisht simbolik. Në fund të shekullit të 19-të, u bë një përpjekje për të
marrë një formë të shkruar të gjuhës. Përdorej më shumë alfabeti grek duke
shtuar disa shkronja latine por kishte edhe shumë që përdorën alfabetin latin,
i cili ishte edhe mënyra e shkrimit të gjuhës së sotme shqipe. Pas disa
mosmarrëveshjeve për temën e gjuhës së shkruar arvanitase, më në fund të dyja opsionet
u konsideruan të pranueshme.
Së fundi,
disa raste me përdorimin e alfabetit grek që janë shënuar, pasi ishte edhe
mënyra më e zakonshme e shkrimit të dialektit, janë mënyra e komunikimit të Ali
Pashës, i cili shkruante në arbërisht por me shkronja greke dhe korrespondenca
e Kounduriots. Gjithashtu, në vitin 1860, Anastasios Pykaios botoi një alfabet në
arbërisht duke u bazuar në alfabetin grek në gazetën 'PELASGOS' në Lamia.
BIBLIOGRAFIA:
Pantelidis, Nikos. & Liosis, Nikos. Ndikimet dialektike të greqishtes së re në arbërisht. Universiteti Kombëtar dhe Kapodistrian i Athinës, Fondacioni Manolis Triantafyllidis, Universiteti Aristotelio i Selanikut.
Toundas, D. (2023). Arbërishtja në fshatrat e Beotisë. Statusi sociolinguistik. Teza e doktoraturës e pabotuar, Hellenic Open University, Athinë.
Pantelidis, Nikos. & Liosis, Nikos. Ndikimet e arbërishtes në dialektet e greqishtes moderne: Raste nga fonetika, morfologjia e prodhimit dhe sintaksa. Instituti i Studimeve Moderne Greke, Universiteti Aristotelio i Selanikut, Universiteti Kombëtar dhe Kapodistrian i Athinës.
Qendra për
Kërkime mbi Grupet Minoritare. Tjetërsia gjuhësore në Greqi: Arbërisht, Vllahe,
Gjuhët e Trakës Perëndimore, Dialektet sllave të Maqedonisë.
Instagram: @orgesa.kodhelaj
Comments
Post a Comment